Shërbimet e Migracionit



Divizioni për Shërbime të Migracionit synon të bëhet ofrues publik i besueshëm, me performancë të mirë dhe i mirëpritur i shërbimeve për informim, të cilat lidhen me migrimin për qëllime punësimi, në funksion të përkrahjes së migrimit të ligjshëm, lehtësimit të migrimit qarkor dhe parandalimit të migrimit të parregullt.

Qëllimi kryesor i Agjencisë së Punësimit është përkrahja e individëve që kërkojnë të punësohen apo arsimohen me qëllim që të gjejnë një vend pune të përshtatshëm dhe/ose mundësi të tjera për karrierë në Kosovë.

Megjithatë, migrimi ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë një realitet tepër i rëndësishëm për kosovarët, por edhe për qëndrueshmërinë ekonomike, sociale dhe politike të vetë vendit: Llogaritet që një nga katër kosovarë jeton aktualisht jashtë vendit, ndërkohë që migrimi po ndikon fuqishëm në zhvillimin njerëzor të popullit në Kosovë, p.sh. përmes remitancave, shpenzimeve të udhëtimit, investimeve, transferimeve të kapitalit njerëzor dhe social, pjesëmarrjes politike dhe qytetare.

Pasja e mundësisë për të kërkuar punë jashtë vendit rrit zgjedhjet për punëtorët e Kosovës dhe kontribuon në zhvillimin njerëzor.

Nëse migrimi për qëllime punësimi menaxhohet në mënyrë të duhur dhe të barabartë, ai mund të shpalosë përfitime të ndërsjella për individët, si dhe për shoqëritë prej të cilave vijnë dhe për vendet drejt të cilave shkojnë.

Prandaj, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës i jep kompetenca vetëm Divizionit të saj për Shërbime të Migracionit që të menaxhojë në mënyrë aktive emigrimin për qëllime punësimi dhe të ofrojë shërbime përkatëse nëpërmjet Qendrës së Shërbimeve të Migrantëve dhe zyrave të saj rajonale dhe lokale të punësimit.