Portali i punës së Kosovës
Në vazhdën e
analizimit të kërkesave të punëkërkuesve dhe të papunëve të regjistruar në
Zyrat e Punësimit, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK),
nëpërmjet Departamentit të Aftësimit Profesional (DAP) në vazhdimësi pasuron
profilet e aftësimit profesional në të gjitha Qendrat e Aftësimit Profesional
(QAP), duke shtuar kurse të reja.
Nga muaji mars i
këtij viti, në QAP në Prizren ka nisur kursi për instalues elektrik në banesat
kolektive (IEBC) për të cilin ka pasur kërkesa të mëdha nga punëkërkuesit e
regjistruar.
Pas përfundimit
të kursit për IEBC, punëkërkuesit do të aftësohen në përfitimin e njohurive për
instalime elektrike, përdorim të pajisjeve të nevojshme dhe kryerje të punëve
sa i përket instalimeve elektrike.
Kursi i IEBC
sjell shumë përparësi për punëkërkuesit, duke u mundësuar atyre që të punësohen
në ndërmarrje publike ose private të cilat kryejnë veprimtari instalimi
elektrik në banesat civile, të vetëpunësohen duke kryer instalime elektrike në
ndërtesa apo edhe të krijojnë biznese të vogla të menaxhuara nga instaluesi
elektrik.
Të gjithë
qytetarët të cilët regjistrohen si punëkërkues dhe të papunë në Zyrat e
Punësimit që kanë mbaruar arsimin e detyruar, që kanë mbaruar arsimin e mesëm
të përgjithshëm apo profesional ose që zotërojnë një profesion i cili nuk është
i kërkuar në treg, kanë të drejtë të aftësohen, vlerësohen dhe certifikohen në
QAP.
APRK ka në menaxhim rrjetin e QAP në të gjitha qytetet kryesore të vendit ku ofrohen një mori profilesh të aftësimit profesional, profile të kërkuara në tregun e punës duke i aftësuar punëkërkuesit dhe duke i bërë të gatshëm për tregun e punës. Shumica dërmuese e punëkërkuesve, pas mbarimit të kursit dhe certifikimit në QAP, arrijnë të punësohen apo hapin bizneset e tyre në profilet përkatëse ku janë aftësuar profesionalisht.